Mekanizmi Valsalva

Mekanizmi Valsalva

EDHE PSE TË FOLURIT ËSHTË NJË GJË E NATYRSHME për qenien njerëzore, nuk ekziston një organ që është i dedikuar ekskluzivisht për të folurit. Syri është i dedikuar për të shikuar, veshi për të dëgjuar, stomaku për të tretur ushqimin, dhe zemra për të pompuar gjakun. Nga ana tjetër, të folurit kërkon një ndërveprim të disa pjesëve të ndryshme të trupit, funksioni primar i të cilave nuk është të folurit. Goja me gjuhën, buzët dhe dhëmbët është disenjuar për të ngrënë dhe për të pirë. Mushkëritë dhe kanali i frymëmarrjes janë të përkushtuara për frymëmarrje.

Madje edhe laringu – vetë kutia e të folurit – nuk është e kufizuar vetëm për fonacion. Ai ka një funksion tjetër, që ka luajtur një rol të rëndësishëm që nga ditët kur paraardhësit tanë zbritën nga pemët. Laringu na ndihmon për të kryer përpjekjet fizike të mëdha.

Për të demostruar se çfarë dëshiroj të them, le të fillojmë me një ushtrim.

Ngrituni. Lidhni gishtat e të dy duarve së bashku para krahërorit tuaj. Merrni frymë thellë. Tani tentoni të ndani duart, por mos i ndani[1]. Tërhiqni fort (por jo aq fort sa të pësoni sulm në zemër). Njësoj, ju mund të futni duart nën skajet e një tavoline të rëndë dhe të tentoni ta ngritni atë lart. Tani relaksohuni.

Çfarë vërejtët derisa ishit duke tërhequr duart? Në mënyrë të qartë, muskujt në krahët dhe duart tuaja ishin të tensionuara. Krahërori dhe shpatullat ishin të ngurtësuar. Gjithashtu mund të keni vërejtur se muskujt në krahërorin dhe abdomenin, deri poshtë pjesës së përparmë të trupit, ishin të shtrënguar. Por çfarë tjetër ka ndodhur?

Provoni përsëri të njëjtin ushtrim. Merrni prapë frymë thellë, tërhiqni duart fort (ose tentoni të ngritni tavolinën), dhe këtë herë kushtoni vëmendje fytit tuaj. Nëse jeni sikurse njerëzit tjerë, ju do të vëreni se fyti juaj nuk është vetëm i tensionuar, por është plotësisht i mbyllur. Aq më tepër, sa më fort t’i tërhiqni duart, aq më fort mbyllet fyti juaj.

Tani provoni të ndjeni se ku në fytin tuaj ka ndodhur kjo mbyllje. Ju do të gjeni se kjo ka ndodhur tamam mbrapa mollës së Adamit, në vendin e njëjtë ku prodhohet zëri juaj – në laring.

Laringu në këtë rast është duke bërë njërën nga detyrat themelore për të cilën është disenjuar. Kjo quhet mbyllje e sforcuar. Kjo është mënyra se si trupi mbyll skajin e epërm të kanalit të frymëmarrjes, për të mbajtur frymën në mushkëri. [2]

cross-section larynxGjatë mbylljes së sforcuar, muskujt e laringut sillen në mënyrë krejtësisht të ndryshme në krahasim me atë se si sillen ato gjatë fonacionit. Fonacioni prodhohet duke i bashkuar butësisht kordat vokale, derisa një rrymë e ajrit kalon përmes tyre. Kjo shkakton që kordat vokale të vibrojnë, duke krijuar tingujt e zërit tonë. Ndërkohë, kordat vokale false (kordat vestibulare), të cilat ndodhen mbi kordat vokale, mbesin të hapura.

Mbyllja e sforcuar, në anën tjetër, arrihet duke shtypur së bashku kordat vokale false dhe kordat vokale. Brendësia e laringut mbyllet fort, si një grusht, duke bllokuar tërësisht rrjedhjen e ajrit. [3] Laringu është disenjuar që të mbyllet me forcë të mjaftueshme për të mbajtur brenda çdo sasi të shtypjes së ajrit që mund të vjen nga mushkëritë.

Tani përsëritni ushtrimin me tërheqje të duarve, dhe kushtoni vëmendje nga afër se çfarë ndodh me pjesën tjetër të trupit. Vëreni tensionin në muskujt e krahërorit. Ata janë të tendosur për ta tërhequr kafazin e krahërorit poshtë, në mënyrë që të bëjnë shtypje në mushkëri.

Çfarë lidhur me muskujt abdominal – ata që janë në pjesën e përparme të trupit, nën kërthizë? A mund të vëreni se si shtërngohen ata? Këta muskuj shtypin mbi zorrët dhe organet tjera në zgavrën e abdomenit, duke i sforcuar ata lart ndaj diafragmës. Me ngritjen e qendrës së diafragmës lart, kjo gjithashtu shton më shumë shtypje në mushkëri.

Dhe çfarë ndodh me mushkëritë? A e ndjeni se ato duket se do të shpërthejnë? Nuk është çudi. Muskujt e krahërorit dhe të abdomenit janë duke bërë çdogjë që nxjerrin ajrin me forcë jashtë mushkërive. Në të njëjtën kohë, laringu është tendosur aq shumë për ta mbajtur frymën të bllokuar brenda. Si rezultat, shtypja e ajrit në mushkëri bëhet gjithnjë e më e madhe.

Çfarë është duke ndodhur? Dhe pse?

Ju jeni duke kryer një manovër Valsalva. Ky është një funksion normal i trupit që ndodh në të gjithë qeniet e shëndetshme njerëzore kur ata ushtrojnë një përpjekje të madhe fizike. [4] Edhe pse shumica e njerëzve nuk i kushton vëmendje kësaj, manovra Valsalva ka qenë e njohur për shkencën mjekësore për më shumë se dyqind vjet. Emrin e ka marrë sipas Antonio Maria Valsalva, një anatomisti italian që ka jetuar nga 1966 deri më 1723.

manovra ValsalvaKur ne kryejmë manovrën Valsalva, ne bllokojmë pjesën e epërme të kanalit të ajrit derisa ne shtrëngojmë muskujt  krahërorit dhe abdomenit për bërë shtypje në mushkëri. Kjo ka efektin e njëjtë si shtrydhja e tullumbacës pjesërisht të fryrë. Fillimisht, tulllumbacja duket e butë, por duke e rritur shtypjen e ajrit duke e shtrydhur atë, tullumbacja bëhet gjithnjë e më e fortë. Kur ne kryejmë manovrën Valsalva, është njësoj si shtypja e një tullumbace brenda krahërorit tonë.

Ajri me shtypje jep fortësi dhe ngurtësi. Ne të gjithë jemi të familjarizuar me ato lodrat e fryra prej gomës, të cilat janë të buta kur ato nuk kanë shumë ajër. Por kur i fryjmë me shumë ajër, ato ngurtësohen; ato qëndrojnë në këmbë dhe marrin formën e vet. Goma e shfryrë nuk mund të bëj asgjë. Por kur ajo është e mbushur me ajër me shtypje, ajo mund të mbaj një automjet që peshon me qindra kilogramë. Njësoj, kur ne krijojmë shtypje në mushkëri duke e kryer manovrën Valsalva, trupi ynë është më i fortë, më i ngurtë dhe mund të kryej në mënyrë më efikase përpjekjet e mëdha.

A keni vërejtur se si peshëngritësi “e mban frymëmarrjen e tij” derisa tendoset për të ngritur peshat e rënda mbi kokën e tij? Ai është duke kryer manovrën Valsalva. Shtypja e ajrit në mushkëritë e tij e mban krahërorin dhe supet e tij më të forta dhe më të ngurta, duke i dhënë më shumë mbështetje krahëve të tij. Në këtë mënyrë, ai mund të orientoj të gjithë energjinë e tij drejt ngritjes së peshave lart. Në të kundërtën, një sasi e energjisë do të humbej derisa krahërori dhe supet e tij do të lëshoheshin poshtë. (Megjithatë, ju lutem vëreni se kryerja e manovrës Valsalva derisa ngrisim peshat nuk rekomandohet dhe mund të rezultoj në sulm në zemër).

Duke përdorur manovrën Valsalva, ne mbajmë dhe rëndojmë trungun e trupit tonë. Kjo i ndihmon duarve dhe këmbëve për të kryer shumë lloje të detyrave të vështira, si ngritje, shtyrje, tërheqje, kanotazh, alpinizëm dhe shtypje teposhtë me këmbët tona. Herën e ardhshme kur të kryeni ndonjë nga këto aktivitete, vëreni se si laringu juaj mbyllet instiktivisht. Ju jeni duke kryer manovrën Valsalva.

Kjo nuk do të thotë se ju duhet të përdorni manovrën Valsalva kur bëni përpjekje të mëdha. Nëse ju mendoni me vetëdije lidhur me këtë, ju mund t’i thoni trupit tuaj që mos të mbyll laringun derisa jeni duke tërhequr, shtyrë, etj. Manovra Valsalva vetëm na ndihmonmekanizmi Valsalva t’i kryejmë ato punë më me forcë.

Manovra Valsalva gjithashtu mund të na ndihmoj të kryejmë lloje tjera të funksioneve të trupit, si p.sh. jashtëqitja, urinimi dhe lindja e foshnjës. [5] Në këto aktivitete, ne shtërngojmë muskujt e abdomenit në përpjekje për të shtyrë gjërat e ndryshme jashtë zgavrës së abdomenit. Laringu mbyllet natyrshëm, për të mbajtur ajrin në mushkëri. Ajri me shtypje që rezulton nga kjo, ndihmon që të stabilizohet diafragma, ashtu që shtypja abdominale të orientohet teposhtë në mënyrë më efikase. Ky aktivitet më së shpeshti ndodh kur një person tenton të sforcoj jashtë mbetjet nga zorra.

Po e theksojmë përsëri, se manovra Valsalva nuk është absolutisht e domosdoshme për jashtëqitje. Ju mund të zgjidhni me vetëdije për të mbajtur laringun të hapur, nëse dëshironi.[6] Ekzistojnë muskuj tjerë në abdomen që kanë mundësi të lëvizin zorrët vetvetiu. Manovra Valsalva thjesht na lejon të përdorim forcë shtesë teposhtë, gjatë përpjekjes për të ndihmuar që të kryhet kjo punë.

Kur kemi ndërmend të kryejmë jashtëqitjen, muskujt e zorrës së drejtë (rektal) dhe anal relaksohen, në këtë mënyrë duke lejuar që lëvizjet e zorrëve të nxjerrin jashtë mbetjet. Megjithatë, kur nuk kemi ndërmend jashtëqitjen, këta muskuj shtërngohen gjatë manovrës Valsalva, për të parandaluar zbrazjen aksidentale të zorrëve. Mbrojtësi kryesor është muskuli puborektalis. Ai formon një rrip përrreth rektumit – gypit që bart materialin e mbetur nga zorra në anus. Kur të shtërngohet muskuli puborektalis, ai bllokon rektumin që të mos dal asgjë jashtë tij. [7]

Të gjithë muskujt që i diskutuam – muskujt e laringut, të krahërorit, të abdomenit dhe të rektumit – janë të lidhur mes vete si një “ekip” përmes sistemit nervor. Ata koordinohen në mënyrë neurologjike për t’u tkurrur në të njëjtën kohë gjatë kryerjes së manovrës Valsalva. Kur njëri nga këta muskuj tkurret, atëherë të gjithë tkurren – përveq kur ne me vetëdije i’u themi që mos ta bëjnë këtë. Dhe ata të gjithë tentojnë të tkurren me të njëjtën shkallë të forcës, në përpjestim me njëri-tjetrin.[8]

Prandaj, ne do t’i referohemi këtij ekipi të muskujve si një njësi e vetme e koordinuar, të quajtur mekanizmi Valsalva. Ky është mekanizmi që e përdorim për të kryer manovrën Valsalva.

A mund të jetë ky mekanizmi fizik që është i përfshirë në belbëzim?

Siq është diskutuar, edhe rrethanat edhe simptomet e belbëzimit janë të lidhura me përdorimin e forcës. Ne tentojmë të belbëzojmë më shumë, kur ndjejmë se nevojitet të “provojmë fort” dhe të përdorim forcë shtesë gjatë të folurit. Ngjashëm, belbëzimi shpesh karakterizohet me forcën dhe përpjekjet e tepërta gjatë tentimit për të folur. Prandaj, mund të presim që mekanizmi fizik që është i përfshirë në belbëzim duhet bëj diçka që ka lidhje me përdorimin e forcës dhe bllokimin e sforcuar të rrjedhjes së ajrit. Mekanizmi Valsalva në mënyrë të dukshme i plotëson këto kërkesa.

Manovra Valsalva gjithashtu është e lidhur edhe me përgjigjen tonë instiktive ndaj anksiozitetit. Ajo ndodh automatikisht si pjesë e reagimit “lufto-ik-shtangu” ndaj situatave të frikshme.

Ne gjithashtu vërejtëm se belbëzimi shpesh karakterizohet me vështirësi ose vonesa në fonacion. Kjo sugjeron që mekanizmi fizik i belbëzimit duhet të ketë ndonjë efekt në laring. Përsëri, mekanizmi Valsalva e plotëson këtë kriter.

Siq e kemi parë, mekanizmi Valsalva është i disenjuar mirë që të na ndihmoj gjatë përdorimit të përpjekjes fizike dhe gjatë sforcimit të lëvizjes së zorrëve. Megjithatë, ai definitivisht nuk është i disenjuar që të na ndihmoj për të folur dhe për t’i sforcuar fjalët të dalin jashtë. Përkundrazi, ai e bllokon rrjedhjen e ajrit që nevojitet për të folur dhe shkakton që laringu të shtërngohet si një grusht.

Megjithatë, ka ende për të sqaruar. Deri tani, ne kemi diskutuar vetëm se si mbyllet laringu gjatë manovrës Valsalva. Derisa kjo mund të sqaroj bllokimin e belbëzimit që ndodh në laring, si mund t’i sqarojmë bllokimet e belbëzimit që ndodhin në gojë?

Ne mund ta zgjidhim shpejt këtë mister duke u kthyer mbrapa te ushtrimi i tërheqjes së duarve ose të ngritjes. Merrni frymë thellë, por para se të filloni të tërhiqni duart tuaja për t’i ndarë ose për të ngritur tavolinën, bashkoni buzët tuaja si kur dëshironi të thoni tingullin p, si në “patate”. Tani filloni të tërhiqni duart që t’i ndani ose filloni të ngritni tavolinën.

Çfarë vëreni lidhur me buzët tuaja? Shumica e njerëzve kuptojnë se buzët bashkohen duke u shtërnguar fort. Sa më shumë që të tërhiqni duart ose të ngritni tavolinë, aq më shumë mbyllen buzët.

Tani shikoni se çfarë ndodh kur të shtypni majën e gjuhës ndaj mishit të dhëmbëve që ndodhen lart përpara, si gjatë thënies së tingullit t, si në “tavolina”. Merrni frymë thellë dhe filloni të tërhiqni ose të ngritni. Me siguri do të kuptoni se maja e gjuhës shtypet gjithnjë e me më shumë forcë.

Në fund, prekni me shpinën e gjuhës majën e gojës, si gjatë thënies së tingullit k, si në “këmbë”. Merrni frymë thellë dhe përsëri tërhiqni ose ngritni. Tani shpina e gjuhës është duke shtypur me forcë.

A ju duken të njohura këto mbyllje të sforcuara?

Në të gjitha rastet, ju jeni duke kryer manovrën Valsalva, por ju jeni duke përdorur buzët ose gjuhën, në vend të laringut, për të mos lejuar që ajri të dal jashtë. Buzët dhe gjuha e luajnë rolin e njëjtë si më herët laringu, duke u shtërnguar shumë e më shumë për të bllokuar shtypjen e ajrit në mushkëri. Prandaj, buzët dhe gjuha mund të bëhen gjithashtu pjesë e mekanizmit Valsalva.

Se a janë buzët, gjuha ose laringu që kryejnë mbylljen varet se cila e pengon e para rrjedhjen e ajrit. Nëse filloni me buzët e mbyllura, atëherë buzët e marrin rolin për mbyllje të sforcuar gjatë manovrës Valsalva. Ngjashëm, nëse një pjesë e gjuhës fillimisht e ndalon rrjedhjen e ajrit, atëherë pjesa e njëjtë e gjuhës do të vazhdoj të shkaktoj shtypje gjatë manovrës Valsalva. Sa më shumë që muskujt e krahërorit dhe të abdomenit tentojnë të sforcojnë ajrin jashtë, aq më shumë buzët, gjuha ose laringu shtypin, duke tentuar që ta bllokojnë ajrin brenda. Sa më shumë që tentoni të kaloni nëpër këtë bllokim, aq më i fortë bëhet bllokimi. Kjo është mënyra si vepron mekanizmi Valsalva.

A është kjo dukshëm e ngjashme me bllokimet e sforcuara që ndodhin gjatë belbëzimit?

A është e mundur që mekanizmi Valsalva disi të aktivizohet kur personi që belbëzon tenton të flas, duke shkaktuar këto bllokime të sforcuara? A mundet mekanizmi Valsalva të ndërhyj me të folurit në mënyra tjera – siq është pengimi i fonacionit? Këto mundësi do të shqyrtohen në kapitujt e ardhshëm.

 

 

 

[1] Ky ushtrim në mjekësi njihet si “manovra e Jendrassik-ut”. Efekti i tij është të stimuloj manovrën e Valsalvës. Lastovka, 1970.

[2] Fink, 1975, fq 85-100; Fink dhe Demarest, 1978, fq.45-63.

[3] Siq vërehet nga Ardram dhe Kemp, 1967, fq. 381, “laringu mbyllet nga brendësia e kordave vestibulare (kordave vokale false) në nivelin e kordave vokale; barkushet laringeale janë të fshehura.” Fink dhe Demarest, 1978, fq. 47, përmbledh dallimet mes mbylljes së sforcuar dhe fonacionit si vijon:

“Derisa mbyllja fonatore kufizohet në mbylljen e glotisit, pra ndajvënies së kordave vokale nga paraqitja e kërceve aritenoide, mbyllja e sforcuar nënkupton edhe ndajvënien e kordave vestibulare (kordave vokale false) dhe bazës së kërceve kunjore nga muskujt tiroaritenoid, si dhe një sasi të ndryshme të ndajvënies së kordave tirohioide mediane në majën e kordave vestibulare të afruara.”

[4] Carlson, Johnson dhe Cavert, 1961, fq. 262; Ardran dhe Kemp, 1967; Fink, 1973; Fink, 1975, fq. 89-92; Fink dhe Demarest, 1978, fq. 45-63.

[5] Dickson dhe Maue-Dickson, 1982, fq. 135.

[6] Ardran dhe Kemp, 1967, fq. 381.

[7] Fink, 1975, fq. 99.

[8] Fink, 1975, fq. 93-97; Fink dhe Demarest, 1978, fq. 46.

 

Pjesë nga libri “Të kuptuarit dhe kontrollimi i belbëzimit – një qasje plotësisht e re e bazuar në hipotezën Valsalva” nga William D. Parry

Copyright © 2013 by William D. Parry

Comments are closed.