Mekanizmi i të folurit
SHIKIMI I BUZËVE të një folësi të rrjedhshëm është një argëtim mahnitës për dikë që belbëzon. Sa shpejt që lëvizin ato! Sa butë që preken mes vete ato! Sa lehtë duket e gjithë kjo! Çfarë mund të jetë sekreti i kësaj?
Natyrisht, ne e dijmë se të folurit është shumë më tepër se lëvizja e buzëve, ose madje edhe e gjuhës. Këto janë vetëm pjesët më të jashtme, të dukshme të mekanizmit të të folurit. Pa marrë parasysh se sa shumë përpjekje bëjmë me buzët ose gjuhën, ato nuk prodhojnë të folurit vetvetiu. Përveç kësaj, neve na nevojitet zëri, neve na nevojitet rrjedhja e ajrit. Prandaj, për të kuptuar mekanizmin e të folurit, ne duhet të shkojmë përtej buzëve, përtej gojës, thellë në trupin tonë.
Tani ne do të shqyrtojmë komponentet e ndryshme të mekanizmit të të folurit – “shpellat dhe tunelet” e gojës, fytit dhe mushkërive – për të zbuluar burimin e të folurit.
Ne filluam me shqyrtimin e buzëve të një folësi të rrjedhshëm. Ato hapen, mbyllen, mblidhen dhe zgjerohen, duke ledhatuar butësisht fjalët që dalin prej tyre. Buzët nuk mbyllen fort, por butë dhe shkurtë, si gjatë një puthje të rastësishme. Mbrapa buzëve janë dhëmbët. Nuk ka kafshim ose shtërngim të dhëmbëve. Nofulla lëviz butësisht, në mënyrë të relaksuar. Ne mund të ndjejmë dëpërtimin e ajrit.
Mbrapa dhëmbëve është gjuha – një masë muskulore e mishit që lëviz vazhdimisht, valëzohet dhe ndryshon format. Ne e vërejmë se si maja e gjuhës nganjëherë prek majën e dhëmbëve të sipërm. Nganjëherë ajo prek kulmin e dhëmbëve (kulmi alveolar, ose mishi i dhëmbëve) mbi dhëmbë. Nganjëherë, mesi ose shpina e gjuhës ngritet lart për të takuar kulmin e gojës, që quhet qiellza e fortë. Megjithatë, kontakti mes gjuhës dhe pjesëve tjera të gojës është i shkurtë dhe i butë.
Edhe më mbrapa, kulmi i gojës bëhet qiellzë e butë ose velum – një zgjatje muskulare e qiellzës së fortë. Ajo përfundon në njerith (uvula), projeksioni në formë hinke që e shohim që varet poshtë në fund të gojës. Velumi mund të lëviz poshtë dhe lart, që të mbyll ose hap korridorin mes zgavrës së hundës dhe pjesës së sipërme të fytit, që quhet faring.
Duke shikuar poshtë faringut mbrapa gjuhës, ne shohim që ajo dërgon në dy korridore. Nga pjesa e brendshme është kanali i ushqimit, që quhet ezofag, i cili dërgon në stomak.
Tuneli nga pjesa e jashtme dërgon në laring – një kutie me formë të çuditshme të kërcejve dhe muskujve, që lëviz vazhdimisht në mënyra të ndryshme. Në maje është një kapak në formë të gjuhës, epigloti. Ky e mbyll kulmin e laringut gjatë përtypjes, për të parandaluar ushqimin që të shkoj aksidentalisht në kanalin e frymëmarrjes. Gjatë të folurit, ai hapet.
Duke vazhduar më poshtë në laring, ne kalojmë përmes dy zgjatjeve, që quhen kordat false vokale ose kordat vestibulare. Përfundi tyre është një pamje e mahnitshme. Ne shohim atë që duken si dy buzë, që janë të ankoruara së bashku në pjesën e përparme, dhe të cilat hapen dhe mbyllen në pjesën e mbrapme. Këto janë kordat e vërteta vokale (që në gjuhen popullore quhen “kordat vokale”). Mbaresat e pasme të tyre – ato që janë në pjesën e mbrapme – janë të bashkuara në dy pjesë të vogla kërcore, që quhen kërce aritenoide, të cilat lëkunden duke u hapur dhe mbyllur si një portë e vogël. Kur kordat vokale janë të hapura, hapja (që quhet glotis) është në formë të shkronjës V. Kur kordat vokale mbyllen, glotisi redukohet në vetëm një prerje.
Kordat vokale janë të afta për t’u hapur dhe mbyllur pothuajse njëkohësisht. Derisa ato janë të hapura, nuk ka zë – por vetëm një vrull i ajrit nga poshtë. Kur ato janë në pozitë të mbyllur, ato ende lejojnë një çarje të vockël sa për të kaluar ajri. Rrjedhja e ajrit shkakton që kordat vokale të valëzohen dhe të vibrojnë, që krijon një gumëzhimë që quhet fonacion.
Në laring ka muskuj të vegjël që i bashkojnë kordat vokale dhe muskuj tjerë që i largojnë ato. Gjatë të folurit, kordat vokale hapen dhe mbyllen shpejt duke kyqur ose çkyqur zërin, varësisht se a prodhohet tingulli i zëshëm apo i pazëshëm. Muskuj të tjerë përfshihen në koordinimin e lartësisë së zërit. Kjo bëhet duke e lëvizur laringun në atë mënyrë që të rritet ose zvoglohet tensioni në kordat vokale. Megjithatë, vibracioni i kordave vokale në të vërtetë nuk shkaktohet nga aktiviteti muskulor, por nga kalimi i rrjedhjes së ajrit mes tyre.
Përfundi laringut është kanali i frymëmarrjes, ose trakea. Ne arrijmë te një pirun në tunelin që degëzohet majtas dhe djathtas. Këto janë bronket, që dërgojnë te mushkëritë në anën e majtë dhe të djathtë. Mushkëritë janë organe të buta, me vrima, elastike, dhe në formë hinke. Këtu oksigjeni që na jep jetë shndrrohet në gjak dhe largohet dioksidi i karbonit.
Mushkëritë zgjerohen dhe tkurren në mënyrë të përsëritur. Derisa zgjerohen, ajri hyn me vrull poshtë kanalit të frymëmarrjes në mushkëri. Derisa mushkëritë tkurren, ajri me vrull lëviz lart kanalit të frymëmarrjes, përmes laringut dhe jashtë gojës. Kjo është rrjedhja e ajrit jashtë që e mundëson të folurit tonë. Por çfarë e shkakton saktësisht ajrin që të rrjedh? Për të kuptuar këtë, ne duhet të dijmë diçka lidhur me mekanizmin e frymëmarrjes.
Mushkëritë, së bashku me zemrën, janë të vendosura në zgavrën e krahërorit ose toraksit. Kjo është hapësira brenda krahërorit, e mbështjellur me brinjët e krahërorit. Menjëherë nën mushkëri është një muskul i i hollë dhe i gjërë që quhet diafragma. Kjo e ndan kafazin e krahërorit nga zgavra e abdomenit që përmban stomakun, mëlqitë, zorrët dhe organet tjera.
Kur diafragma është e relaksuar, ajo është në formë të kupolës – qendra e saj është e kthyer lart nën mushkëri dhe zemër. Por kur fibrat muskulor në diafragmë tensionohen ose tkurren, diafragma rrafshohet. Si pasojë, qendra e diafragmës lëviz poshtë. Kjo ka dy rrjedhime – ajo shkakton që zgavra e krahërorit të bëhet më e madhe dhe zgavra e abdomenit të bëhet më e vogël. Ajo shtrydh poshtë stomakun zorrët dhe organet tjera.
Mushkëritë janë si tullumbace. Derisa zgavra e krahërorit bëhet më e madhe, sipërfaqja e mushkërive ngjitet me murin e brendshëm të zgavrës së krahërorit, duke shkaktuar që të zgjerohen gjitashtu edhe mushkëritë. Derisa hapësira në mushkëri rritet, ajri thithet poshtë kanalit të frymëmarrjes në mushkëri.
Ky është procesi i marrjes së frymës – që nganjëherë quhet frymëthithje. Kur një person merr frymën duke përdorur diafragmën, kjo quhet frymëmarrje me diafragmë ose frymëmarrje me abdomen. Një mënyrë tjetër me të cilën njerëzit e marrin frymën quhet frymëmarrje me krahëror. Muskuj të caktuar në krahëror (muskujt e jashtëm mes brinjëve) tkurren, duke i lëvizur brinjët jashtë dhe brenda. Kur kafazi i krahërorit ngritet, kjo gjithashtu rrit edhe madhësinë e zgavrës së krahërorit, duke shkaktuar që mushkëritë të zgjerohen dhe të fusin ajrin brenda.
Ju mund të thuani se një person merr frymë me krahëror, sepse ju mund të shikoni krahërorin e tij duke u ngritur derisa thith ajrin dhe duke rënë derisa e nxjerr ajrin jashtë. Ju mund të thuani se ai është duke përdorur diafragmën për të marrë frymë, sepse abdomeni i tij do të zgjatet derisa ai thith ajrin, pasi diafragma i shtyp poshtë zorrët dhe të tjerat, duke shkaktuar ato të fryhen jashtë përpara. Mandej abdomeni shkon mbrapa derisa ai e nxjerr ajrin jashtë. Zakonisht, një person do t’i përdor edhe muskujt e diafragmës edhe të krahërorit gjatë thithjes së ajrit.
Thithja e ajrit, ose frymëthithja, është pjesa e vetme e frymëmarrjes që kërkon aktivitet muskulor. Nxerrja e ajrit, ose frymënxjerrja nuk kërkon aktivitet të asnjë muskuli. E gjithë kjo mund të bëhet duke relaksuar muskujt e njëjtë që janë përdorur për thithje të ajrit. Muskujt e krahërorit relaksohen dhe kafazi i krahërorit futet brenda. Diafragma relaksohet dhe organet e abdomenit e shtyjnë prapë atë lart në pozicionin e saj në fomë kupole. Mandej mushkëritë tkurren për shkak të elasticitetit të tyre – si një tullumbace që zvoglohet kur i del ajri jashtë.
Çfarë rëndësie ka kjo për të folurit? Të folurit ndodh derisa ne jemi duke e nxjerrë ajrin. Prandaj, të folurit nuk kërkon ndonjë përpjekje muskulore për rrjedhje të ajrit. Derisa muskujt e frymëmarrjes normalisht na ndihmojnë të mirëmbajmë nivelin e duhur tëshypjes së ajrit, teoritikisht është e mundur të flasim me rrjedhjen pasive të ajrit, ajrin që rrjedh natyrshëm jashtë derisa ne relaksohemi.
Natyrisht, ajri mund të nxirret edhe me forcë jashtë nga mushkëritë. Kjo quhet nxjerrje e ajrit me forcë. Megjithatë, kjo zakonisht nuk është e nevojshme, përveq nëse jemi duke bërë ushtime të jashtëzakonshme, kur fryjmë trumpetën, ose fryjmë një tullumbace. Në nxjerrjene ajrit me forcë, tkurren muskuj tjerë në krahëror (muskujt e brendshëm mes brinjëve), duke i afruar brinjët së bashku dhe duke ngjeshur zgavrën e krahërorit. Përveq kësaj, muskujt rreth zgavrës së abdomenit mund të shtërngohen, duke ngjeshur zorrët dhe organet tjera, duke i sforcuar ato lart ndaj diafragmës, dhe duke e shtypur lart zgavrën e krahërorit. Kjo e rrit shtypjen e ajrit në mushkëri, duke shkaktuar që ajri të nxirret jashtë me presion.
Përdorimi i muskujve të abdomenit për të sforcuar ajrin të del jashtë nuk duhet të ngatërrohet me frymëmarrjen përmes diafragmës. Diafragma tkurret vetëm gjatë thithjes së frymës. Ajo relaksohet gjatë nxjerrjes së frymës. Në anën tjetër, muskujt abdominal, shtërngohen me qëllim të rritjes së shtypjes së ajrit në mushkëri, duke sforcuar ajrin të del jashtë. Gjatë të folurit normal, kjo përpjekje zakonisht nuk vërehet, përveq nëse bërtasim ose këndojmë me zë të lartë.
Tani pasi kemi shqyrtuar thellë mekanizmin e të folurit, në vazhdim do të shqyrtojmë sesi këto pjesë punojnë së bashku gjatë prodhimit të të folurit.
Pjesë nga libri “Të kuptuarit dhe kontrollimi i belbëzimit – një qasje plotësisht e re e bazuar në hipotezën Valsalva” nga William D. Parry
Copyright © 2013 by William D. Parry