Këshilla
7 këshilla si të flisni me fëmiun tuaj
Përpiluar nga Barry Guitar, Ph.D. dhe Edward G. Conture, Ph.D.
- Flisni me fëmiun tuaj pa u ngutur dhe duke pauzuar shpesh. Prisni disa sekonda pasi të përfundoj të folurit fëmiu juaj para se të filloni ju të flisni. Të folurit e juaj të ngadalshëm dhe të relaksuar do të jetë shumë më i efektshëm se çfarëdo kritike ose këshille si p.sh. “ngadalësoni” apo “provo edhe njëherë më ngadalë.”
- Redukoni numrin e pyetjeve që i bëni fëmiut tuaj. Fëmijët shprehen më lirshëm nëse ata shprehin idetë e tyre sesa kur përgjigjen në pyetjet e të rriturve. Në vend që të bëni pyetje, thjesht komentoni atë që thotë fëmiu, duke i bërë me dije atij se jeni duke e dëgjuar.
- Përdorni shprehjet e juaja të fytyrës dhe gjuhën e trupit që të përçoni se jeni duke e dëgjuar përmbajtjen e mesazhit të tyre dhe jo mënyrën se si flet.
- Ndani disa minuta në një kohë të rregullt çdo ditë kur ju i kushtoni vëmendje të plotë fëmiut tuaj. Gjatë kësaj kohe, lejoni fëmiun tuaj të zgjedh se çfarë dëshiron të bëj. Lejoni që ai t’ju udhëheq në aktivitete dhe të vendos vetë a dëshiron të flas apo jo. Kur ju flsini gjatë kësaj kohe speciale, përdorni të folur të ngadalshëm, të qetë dhe të relaksuar, me shumë pauza. Kjo kohë e qetë mund të shërbej për ndërtimin e vetëbesimit për fëmiun, duke i bërë me dije se prindi kënaqet në shoqërinë e tij. Me rritjen e fëmiut, kjo do të ndihmoj që fëmiu juaj të ndihet rehat që të flas lidhur me ndjenjat dhe përvojat e tij së bashku me prindin.
- Ndihmoni të gjithë anëtarëve të familjes që të flasin dhe dëgjojnë me rradhë.Fëmijët, posaqërisht ata që belbëzojnë, e kanë më të lehtë të flasin kur kanë më pak ndërprerje dhe kanë vëmendjen e plotë të dëgjuesve.
- Vëzhgoni mënyrën se si bashkëveproni me fëmiun tuaj. Mundohuni të rrisni sasinë e kohës kur i jepni fëmiut tuaj mesazhin që jeni duke e dëgjuar dhe ai ka kohë sa të dojë për të folur. Mundohuni të zvogloni kritikat, të folurit e shpejtë, ndërhyrjet dhe pyetjet.
- Mbi të gjitha, tregoni se ju e pranoni fëmiun tuaj ashtu si është. Forca më e fuqishme do të jetë mbështetja juaj për të, pa marrë parasysh a belbëzon apo jo.
6 këshilla për të folur me dikë që belbëzon
Huazuar nga The Stuttering Foundation
Belbëzimi mund të duket si një problem i lehtë që mund të zgjidhet me disa këshilla të thjeshta, por për shumë të rritur, kjo mund të bëhet një çrregullim kronik që zgjat tërë jetën. Këtu janë disa mënyra, që ju si dëgjues, mund të ndihmoni
- Mos bëni vërejtje si: “Më ngadalë”, “Merrni frymë”, ose “Relaksohuni”. Këto këshilla të thjeshta mund të duken si poshtëruese dhe nuk ndihmojnë.
- Personi me të cilin komunikoni le të kuptoj nga sjellja juaj se jeni duke e dëgjuar se çfarë po flet – e jo si po flet.
- Mbani kontakt të natyrshëm me sy dhe prisni me durim dhe në mënyrë të natyrshme deri sa të përfundoj fjalinë.
- Ju mund të tundoheni që të përfundoni fjalinë ose të plotësoni fjalët. Provoni që mos ta bëni këtë.
- Jeni të vetëdijshëm se ata që belbëzojnë zakonisht kanë më shumë problem për të kontrolluar të folurit e tyre në telefon. Ju lutem, keni durim në këtë situatë. Nëse ju e ngritni dëguesen dhe nuk dëgjoni asgjë, para se ta mbyllni sigurohuni se nuk është ndonjë person që belbëzon që po provon për të filluar bisedën.
- Flisni pa u ngutur – por jo shumë ngadalë që të duket e panatyrshme. Kjo ndihmon një komunikim të mirë me secilin.