Joe Biden
Si president aktual i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i kërkohet shumë shpesh të flas në publik në ngjarje të profilit të lartë. Nuk është fshehtësi që presidenti Biden është ballafaquar me belbëzimin përgjatë jetës së tij, por kjo e bën shumë mbresëlënëse dhe inspiruese që ai është ngritur në zyrtarin më të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Joseph Robinette Biden Jr është lindur më 20 nëntor 1942 në Scranton, Pennsylvania, si më i madhi nga katër fëmijët. Më 1953, familja Biden është zhvendosur nga Pennsylvania në Claymont, Delaware. Ai ka diplomuar në Shkollën e Drejtësisë në Delaware dhe Syracuse. Në moshën 29 vjeçare, ai është bërë njëri nga njerëzit më të rinjë të zgjedhur ndonjëherë në Senatin e Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Biden ka shërbyer për 36 vite si senator nga Delaware. Ai ishte kryetar ose anëtar i lartë i Komitetit Juridik të Senatit për 17 vite, dhe kryetar ose anëtar i lartë i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit nga 1997 deri në fundin e shërbimit të tij në Senat. Ai aktualisht shërben si president i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Megjithatë, para ngritjes së tij politike, Biden është ballafaquar me belbëzimin përgjatë fëmijërisë së tij deri në të njëzetat. Sipas artikullit nga CNN në shkurt të vitit 2015, qështja e belbëzimit u bë publike kohëve të fundit gjatë ndalimit të tij për një kafe në Des Moines, ku Biden foli me një nënë lidhur me përvojën e vajzës së saj në Head Start, programin e qeverisë për ofrimin e edukimit të hershëm dhe shërbimeve mjekësore për amerikanët me të ardhura të vogla.
“Ajo kishte problem me të folurit… ajo dëshironte të shmang fillimin e fjalëve… Përmes Head Start ajo tani është në gjendje të mësoj si të flas me ne, si të komunikoj, si të jetë e shoqërueshme,” tha nëna, duke theksuar se vajza e saj ka vijuar terapinë për të folurit në Drake. Në atë pikë, Biden e ka pranuar ballafaqimin e tij me belbëzimin gjatë fëmijërisë, ashtu siq e ka bërë disa herë publikisht.
Presidenti Biden ka folur se sa e vështirë ka qenë për të tejkaluar belbëzimin gjatë paraqitjes në emisionin “The View” të ABC-së. Më 2011, ai ka shkruar një ese për revistën “People” lidhur me përvojën e tij:
“Unë asnjëherë nuk kam pasur një terapi profesionale, por disa murgesha më kanë mësuar si të përdor kadencën gjatë të folurit, dhe kjo është arsyeja pse unë kam kaluar shumë kohë duke lexuar poemat e Emersonit dhe Yeatsit” ka shkruar Biden. “Por madje edhe gjatë përgaditjes për shkollën e djemve, në orën e latinishtes unë isha etiketuar si Joe Impedimenta. Kjo ju bën shumë të dëshpëruar, shumë të shqetësuar.”
Presidenti Biden është inspirim për ata që belbëzojnë, që tregon se ballafaqimi me belbëzimin nuk do të thotë t’ju pengoj në suksesin personal.
Në përvjetorin gala të 25 vjetorit të Shkollës Laboratorike të Washingtonit, Biden i drejtohet të pranishmëve. Ai tha: “dhurata e Zotit për mua ishte belbëzimi”. Por ai gjithashtu ka tërhequr vërejtjen “mos lejoni që defekti t’ju definoj juve”. Si një fëmijë, Biden ka punuar për të shmangur belbëzimin duke lexuar poema para pasqyrës derisa ka vëzhguar reagimin e fytyrës. Ai ka theksuar se tejkalimi i vështirësisë dhe statusi i dëbuar nga të tjerët e ka bërë atë shumë më të fuqishëm dhe më empatik më vonë gjatë jetës.
Biden ka thënë: “prindërit e mi më kanë mësuar vazhdimisht që duke qenë i ndryshëm nuk është barrierë për suksesin”. “Dhe një burrë nuk matet se sa herë bie poshtë, por sa shpejt ngritet përsëri.” Në maj të vitit 2015, presidenti Biden i ka dërguar një letër The Stuttering Foundation of America gjatë shënimit të përvjetorit të fondacionit në Lotos Club Gala. Ai ka dhënë disa këshilla shumë të vlefshme për ata që ballafaqohen me belbëzimin:
“Nëse unë mund të ndaj një pjesë të këshillës me ata që ballafaqohen me belbëzimin, kjo do të ishte: Kur ju t’i vëni vetes një qëllim dhe jeni të vendosur për t’u ballafaquar ballë për ballë me vështirësinë, ju do të zbuloni fuqi dhe aftësi të reja që do t’ju ndihmojnë për të tejkaluar jo vetëm këtë sfidë, por kjo gjithashtu e ndryshon edhe të ardhmen e jetës tuaj. Unë ju premtoj – ju nuk keni asgjë për t’u turpëruar, dhe ju keni çdo arsye për të qenë krenar”.