Projekti i hulumtimit në shkollat e komunës së Prishtinës
Shoqata Kosovare për Belbëzim me pëlqimin nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka përfunduar me fazën e parë të projektit për evidentimin e nxënësve me çrregullim të rrjedhshmërisë (belbëzim) në shkollat e komunës së Prishtinës.
Hulumtimi është kryer në 42 shkolla fillore dhe 13 shkolla të mesme të komunës së Prishtinës, dhe rezultatet e këtij hulumitimi janë të njohura për Shoqatën Kosovare për Belbëzim dhe Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës. Këto të dhëna janë konfidenciale dhe pas verifikimit në të gjitha shkollat, do të dalim me rezultate dhe përqindje sipas gjinisë dhe nivelit të klasës.
Në realizimin e këtij projekti janë kyqur edhe ekspertë të njohur nga lëmia e logopedisë, të cilët me përvojën e tyre të fituar në vende tjera kanë kontribuar në implementimin e suksesshëm të këtij projekti.
Gjithashtu falenderojmë Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prishtinës dhe të gjithë drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Prishtinës për bashkëpunimin dhe përkrahjen e tyre.
Në fazën e dytë të këtij projekti, do të kontaktohen të gjithë mësimdhënësit që kanë nxënës me çrregullim të rrjedhshmërisë (belbëzim) dhe përmes prezantimit të video-materialeve, doracakëve, librave, këshillave dhe bashkëbisedimit do të shpjegojmë se si munden mësimdhënësit të integrojnë një fëmijë me jorrjedhshmëri në klasën e tyre dhe si t’ia mundësojnë atyre të arrijnë rezultate më të mira në shkollë.
Ky projekt është shumë me rëndësi edhe për fëmijët me çrregullim të rrjedhshmërisë dhe prindërit e tyre, pasi shkolla është një hapësirë në të cilën përveq mësimit akademik, fëmijët mësojnë të bashkëjetojnë me të tjerët dhe të socializohen. Së bashku me familjen, shkolla është vendi i dytë që mund t’i jap fëmijëve më shumë mbështetje dhe integrim.
Projekti në të ardhmen do të vazhdojë edhe nëpër shkollat e komunave tjera të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ndihma jonë të jetë sa më afër të gjithë nxënësve me çrregullim të rrjedhshmërisë, prindërve dhe mësimdhënësve të tyre.