Përjetimi i belbëzimit
NE JETOJMË NË NJË BOTË të dominuar nga fjala e folur. Gati çdokund – në shtëpi, në shkollë, në punë, në takimet sociale – të folurit është mënyra si njihen njerëzit me njëri-tjetrin dhe i shkëmbejnë idetë, informacionin dhe ndjenjat. Me anë të të folurit, ne tregojmë se kush jemi, çfarë dëshirojmë, dhe pse ne jemi të rëndësishëm. Përmes dhënies dhe marrjes gjatë bisedës, ne e zhvillojmë shoqërimin dhe bëhemi të aftë të mirremi me të tjerët. Të folurit është si një fije pambuku me të cilën ne e thurrim veten në fabrikën e shoqërisë.
Është e lehtë për një person të zakonshëm për ta konsideruar të folurit si diçka të thjeshtë. Kur i lind një ide në mendjen e tij, ai thjeshtë e hap gojën. Automatikisht, truri i tij vjen me fjalët e duhura dhe i dërgon ato përmes organeve të të folurit. Gati menjëherë – pa ndonjë përpjekje të vetëdijshme – ai e dëgjon veten duke folur. Ai nuk e mendon se sa komplekse është ndërveprimi i celulave të trurit, sistemit nervor, muskujve dhe pjesëve të tjera të trupit që e mundësojnë të folurit. Fjalët duket se rrjedhin ashtu lirshëm, si një ujë i pastër në një lumë mali.
Për të qenë të saktë, personi i zakonshëm mund t’i konsideroj disa situata folëse më të vështira. për shembull përgjigja e pyetjes para klasës, kërkesa te pronari për ngritje në detyrë, të folurit para një audience të madhe. Personi mund të jetë i pasigurtë se çfarë të thotë, të frikësohet a po e hidhëron dikë, ose të brengoset se mos po duket si budalla. Megjithatë, shumë rrallë do ta vë në dyshim aftësinë e tij për të folur. Sado i frikësuar dhe hezitues që mund të jetë, ai megjithatë do ta hap gojën, dhe magjia e të folurit do të funksionoj.
Por kjo nuk është e vërtetë për një person që belbëzon.
Për personin që belbëzon, të folurit është një përvojë plotësisht e ndryshme nga kjo. Të folurit nuk është i rrjedhshëm, është si një përrua gurgullues mali. Të folurit është si një salmon i gjorë, që lufton duke kërcyer për t’u ngjitur përpjetë ujëvarës.
Nëse ju jeni një person që belbëzon, ju nuk jeni i sigurtë se fjalët do të dalin nga buzët tuaja me komandë. E vërtetë, nganjëherë të folurit tuaj mund të jetë i lehtë. Por në situata tjera, rrjedhja e të folurit bllokohet.
Nganjëherë, kur ju tentoni të thoni një fjalë, të folurit tuaj është i bllokuar tërësisht dhe asgjë nuk del jashtë. Bllokimi mund të ndodh në gojë, me buzët ose dhëmbët e shtërnguar fort si një mengele. Ose gjuha juaj mund të ndjehet se shtypet fort në qiellzën tuaj. Nganjëherë ajri duket se ua zë frymën teposhtë fytit, dhe ju ndiheni si të kishit gëlltitur një tapë. Herat tjera kordat e juaja vokale mund të duken si të ngrira, të paafta për të prodhuar zë. Ju mund të kërkoni me dëshpërim për fjalët, por e tëra që mund të nxirrni janë “uh” dhe “ah” dhe zëra tjerë të bezdishëm. Nganjëherë ju mund ta gjeni veten duke bërë mbyllje të përsëritura të laringut dhe duke gulçuar (“uh-uh-uh-uh-uh”) para se të flisni.
Nganjëherët bllokimi mund të jetë i pjesërishëm ose me hope. Ju mund të mbërtheheni në një tingull të caktuar dhe të vazhdoni ta zgjasni atë. Për shembull, shqiptimi i “gj-gj-gj-gj-gj-gj-gj-gjarpër” mund të fishkëllej tamam si gjarpëri që e përshkruani. Ose ju mund të vazhdoni të përsëritni pjesën e parë të një fjalë vazhdimisht, para se të mund të kaloni në pjesën tjetër të fjalës. Kur ju thuani “bah-bah-bah-bah-basketboll”, ju mund të jepni përshtypjen se ju në të vërtetë jeni duke dribluar me top në parket.
Por belbëzimi nuk është thjeshtë përsëritje e tingujve që ne e shohim në përshkrimin me fjalë të të folurit belbëzues. Vula e belbëzimit real është një sasi shumë e madhe e përpjekjeve fizike e personit që belbëzon që e përdor gjatë tentimit për të nxjerrë fjalët jashtë. Në vend që buzët dhe gjuha të preken butë dhe shkurtë gjatë të folurit, ato shtypen fort dhe më gjatë se sa është e nevojshme, ose laringu mund të bllokohet komplet. Derisa ndodh kjo, shtypja e ajrit në trupin e personit që belbëzon mund të rritet deri në atë pikë sa mund ta ndiej se do të eksplodoj.
Përveq bllokimeve, belbëzimi është shpesh i komplikuar me anë të llojeve tjera të sjelljeve fizike dhe verbale. Në luftë për të sforcuar fjalët jashtë, personi që belbëzon mund të shtrembëroj dhe rrudh fytyrën e tij, të tund kokën, të mbyll sytë, të kërcas dhëmbët, kafshoj pjesën e brendshme të gojës, të shkund krahët, etj. Ai mund të fus fjalë, fraza ose tinguj të panevojshëm si “fillues” para se të tentoj të thotë një fjalë të vështirë. Ai mund të kthehet mbrapa dhe të përsërit disa fjalë të kaluara vazhdimisht, derisa tenton përsëri dhe përsëri të kaloj mbi pengesën. Nëse është e mundur, ai mund të provoj të zëvendësoj fjalët me fjalë që janë më të lehta për t’u thënë.
Personat që belbëzojnë shpesh e ndjejnë se një fjalë e caktuar përmban një “tullë muri”, edhe para se të provojnë ta thonë atë. Prandaj, disa persona që belbëzojnë bëhen të aftë të mbulojnë belbëzimin – duke luftuar në vete përmes bllokadave para se të flasin, duke ndryshuar dhe cenzuruar fjalët që më përpara, dhe të thonë vetëm gjërat që e ndjejnë se nuk i shkaktojnë telashe. Biseda e plotë e tyre është e varur nga përpjekjet për të fshehur belbëzimin e tyre. Personat tjerë që belbëzojnë mund të kalojnë distanca të gjata vetëm për të shmangur të folurit.
Definicioni i belbëzimit
Definicioni i saktë i “belbëzimit” është një qështje në të cilën logopedët shpesh nuk pajtohen. Prandaj, mund të jetë e dobishme për të sqaruar saktë se çka mendojmë me këtë term kur ta përdorim në këtë libër.
Belbëzimi referohet si një çrregullimi i pjesërishëm i të folurit në të cilën rrjedhshmëria e të folurit është bllokuar ose ndërprerë në mënyrë të pavullnetshme. Bllokimi fillon në tru dhe shpesh mund të ndjehet nga folësi para se të provoj ta thotë atë fjalë. Shfaqja e jashtme përfshin mbylljen me forcë të gojës dhe laringut, përsëritjet ose zgjatjet e tingujve dhe rrokjeve, hezitimet ose vonesat në prodhimin e tingujve të zëshëm, dhe në disa raste, një seri të gulqimeve të laringut para se të flasin. Belbëzimi në përgjithësi përfshin një sasi të tepruar të përpjekjes, forcës dhe luftës gjatë tentimit për të folur. Ai mund të shoqërohet edhe me një llojllojshmëri të sjelljeve gjatë tentimit për të shmangur, shtyer ose fshehur bllokimin.
Belbëzimi mund të dallohet nga jorrjedhshmëria, që referohet gjerësisht në çfarëdo ndërprerje në rrjedhjen e natyrshme dhe ritmin e të folurit. Belbëzimi është një lloj specifik i jorrjedhshmërisë. Shumë njerëz janë jo të rrjedhshëm nganjëherë, për arsye të ndryshme, por kjo nuk i bën ata detyrimisht persona që belbëzojnë. Këto “jorrjedhshmëri normale” përfshijnë ndërfutjet e rastit si “ëm”, “ëh”, dhe përsëritja pa sforcim e komplet fjalës.
Belbëzimi gjithashtu dallon nga paaftësitë e gjuhës siq është afazioni, në të cilën aftësia për të menduar fjalët e duhura është e penguar. Problemi i personave që belbëzojnë nuk është në gjetjen e fjalëve, por në thënien e tyre. Belbëzimi gjithashtu dallon nga apraksia e të folurit, një çrregullimi motorik oral i të folurit në të cilën truri ka vështirësi programimin e lëvizjeve të artikulimit, që rezultojnë në deformimin jokonsistent të tingujve të folur. Në kundërshtim me këtë, artikulatorët e personave që belbëzojnë lëvizin në pozicione të duhura, por atë e bëjnë me forcë dhe këmbëngulje të tepruar.
Ne gjithashtu duhet ta dallojmë belbëzimin nga një lloj relativisht i rrallë i jorrjedhshmërisë, që nganjëherë quhet belbëzim i fituar, që mund të ndodh në çfarëdo moshe që përcillet me lloje të caktuara të dëmtimit të trurit. Edhe pse kjo do të përfshij simptomet e ngjashme me belbëzimin, belbëzimi i fituar është në të vërtetë një çrregullim shumë i ndryshëm.
Këtu do të flasim ekskluzivisht për llojin e belbëzimit të zakonshëm – që nganjëherë quhet belbëzim zhvillimor – i cili duket se zhvillohet sipas një rregulli të vet gjatë fëmijërisë. Ai quhet belbëzim zhvillimor i vazhdueshëm kur të vazhdoj edhe në moshën e rritur.
Personat me belbëzim zhvillimor, për dallim nga personat me belbëzim të fituar, janë në përgjithësi të aftë për të folur rrjedhshëm, së paku në disa raste. Shumica nuk kanë telashe kur këndojnë ose lexojnë në unison me dikë tjetër, dhe ata janë shumë më të rrjedhshëm kur flasin me vete ose me kafshët ose me fëmijët e vegjël. Intensiteti i belbëzimit zhvillimor shpesh varet nga situatat folëse. Për shembull, shumë individë e kanë veçanërisht të vështirë kur të prezentohen me emër, kur të flasin në telefon, ose kur i drejtohen figurave autoritare.
Këto janë disa nga karakteristikat themelore të belbëzimit. Intensiteti, frekuenca dhe situatat në të cilat ndodh belbëzimi do të ndryshojnë varësisht nga secili individ. Ne do të shqyrtojmë në vazhdim të gjitha këto aspekte të belbëzimit më detajisht.
Prevalenca e belbëzimit
Nëse ju belbëzoni, me siguri e keni përjetuar ndjenjën se jeni i vetëm dhe i papërshtatur në këtë botë të llafazanëve. Por ju nuk jeni i vetmi. Vlerësohet se gati një përqind e popullatës në përgjithësi belbëzon. Kjo do të thotë se më shumë se dy milion persona që belbëzojnë janë vetëm në Shtetet e Bashkuara. (Megjithatë, frekuenca e belbëzimit të rëndë është me siguri më e vogël). Për disa arsye, belbëzimi është rreth katër herë më i pranishëm te meshkujt në krahasim me femrat.
Është e vërtetë thënia, “nëse belbëzoni, jeni në shoqëri të mirë”. Përgjatë historisë, kanë qenë shumë njerëz të njohur që kanë belbëzuar. Këtu përfshihen Moses, Aristoteli, Virgjili, Sir Isak Njuton, Xhozef Pristli, Çarls Darvin, Luis Karol, Çarls Lamb, Klara Barton, Sir Uinston Çerçil, Mbreti Xhorxhi VI i Anglisë, W. Somerset Magham, Xhejms Erl Xhons, dhe shumë të tjerë.
Belbëzimi zakonisht fillon në fëmijëri, më së shpeshti mes moshës dy dhe tetë, por nganjëherë edhe më vonë gjatë adoleshencës. Përafërsisht 4 deri në 5 përqind e njerëzve e përjetojnë belbëzimin në një periudhë gjatë fëmijërisë. Për fat të mirë, shumica bëhen të rrjedhshëm me kohë derisa të rriten, madje edhe pa terapi të të folurit. Por të tjerët nuk janë me fat. Shumë belbëzojnë edhe kur të rriten, për të cilët belbëzimi bëhet kronik, problem i vazhdueshëm për tërë jetën.
Ndikimi i belbëzimit
Nëse belbëzoni, ju e dini se përvoja e belbëzimit është shumë më tepër se vetëm bllokimi. Ai mund të ndikoj në tërë jetën.
Përvoja e belbëzimit është një frikë e vazhdueshme ndaj situatave folëse, frikë nga përqeshja dhe refuzimi. Ajo është një pasiguri për të ditur se a do të dalin fjalët kur ju nevojiten, ose a do të gjeni veten papritur të braktisur nga të folurit në ndonjë situatë të vështirë. Ajo është një frustrim duke mos qenë në gjendje të thuani atë që dëshironi, duke i mbyllur fjalët e rëndësishme brenda jush derisa të tjerët llomotisin gjëra të kota pa asnjë problem.
Belbëzimi është një vështirësi duke mos qenë në gjendje të thuani emrin tuaj kur të takoni dikë. Ai është një përpjekje rraskapitëse për t’iu treguar njerëzve madje edhe informatën më rutinore, si p.sh. adresën tuaj ose numrin e telefonit. Ai është një izolim duke mos qenë në gjendje të mirrni pjesë plotësisht në bisedat e përditshme.
Belbëzimi është një shqetësim për të ecur ose për të ngarë makinën nga shitorja në shitore vetëm për të kërkuar një artikull, pasi ju nuk mund të përdorni telefonin për të thirrur që ta kuptoni se kush e ka atë artikull. Ai është një zhgënjim duke mos qenë në gjendje për të porositur ushqimin që dëshironi në restaurant, dhe duke zgjedhur alternativa të cilat është më lehtë për t’i thënë.
Belbëzimi është një zhgënjim duke mos qenë në gjendje për të kërkuar një punë apo ngritja në detyrë bëhet për persona më pak të kualifikuar por që janë më të rrjedhshëm. Ai është një dorëheqje duke vendosur për një punë ose karrierë që është më pak e shpërblyer se sa ajo që vërtetë e dëshironi, vetëm për shkak se ajo nuk kërkon nga ju shumë për të folur.
Përvoja e belbëzimit është një ndjenjë e përhapur e turpit dhe fajit, dhe dyshimeve të bezdisshme lidhur me kompetencën dhe vlerën tuaj si person. Ajo është një ndjenjë e të qenurit të përjetshëm si një fëmijë i vogël, derisa njerëzit tjerë janë të rritur me vetëbesim.
Dhe është një përulje duke u përballur vazhdimisht me njerëzit tjerë që të tregojnë që të “relaksoheni”, të cilët tentojnë t’i plotësojnë fjalët tuaja për ju, ose që ju japin vazhdimisht këshilla të pavlera se si të ndaloni belbëzimin.
Pjesë nga libri “Të kuptuarit dhe kontrollimi i belbëzimit – një qasje plotësisht e re e bazuar në hipotezën Valsalva” nga William D. Parry
Copyright © 2013 by William D. Parry